Kulturë

Shumica e filloristëve s’i kujtojnë tre librat e fundit të lexuar

Foto: Koha
 

Shkalla e leximit të nxënësve të shkollave fillore në kryeqytetin e Kosovës është alarmante. Më shumë se gjysma e filloristëve nuk arrijnë të kujtojnë as tre librat e fundit të lexuar. Nga 878 nxënës të anketuar, vetëm 46.2 për qind kanë arritur të kujtojnë tre librat e fundit të lexuar. Një përqindje prej 23.9 për qind kanë arritur të kujtojnë vetëm dy sosh, përderisa 12.1 për qind e nxënësve nuk kanë arritur të kujtojnë asnjë libër të vetëm. Këto kanë qenë vetëm disa nga gjetjet e raportit më të ri të organizatës joqeveritare “ETEA” mbi lexueshmërinë në shkollat fillore publike të Komunës së Prishtinës, shkruan sot Koha Ditore.

Ky raport, i cili u shpalos të premten në librarinë “Dukagjini”, saktëson se hulumtimi mbi lexueshmërinë ka përfshirë gjithsej 20 shkolla fillore nga 44 sa janë gjithsej. Raporti “Lexueshmëria në shkollat fillore publike të Prishtinës” vjen pas atij “Lexueshmëria në shkollat e mesme të ulëta publike të Prishtinës”, që u publikua në maj. Edhe aty kishte dalë se as gjysma e nxënësve s’i kujtojnë tri lektyrat e fundit që i kanë lexuar.