Kulturë

Dyzet ditë pas emërimit, Baleti mbetet pa drejtor

 

Çështja e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës nuk ka marrë fund. Ministria e Kulturës të hënën e ka bërë publik vendimin se e ka anuluar krejt procesin. Me konkurs të brendshëm, balerini Sinan Kajtazi qe zgjedhur drejtor i këtij institucioni. Në fund të qershorit MKRS-ja kishte dhënë njoftimin për të si “kandidat të suksesshëm” kur kishte bërë me dije se Kajtazi është zyrtarizuar në këtë pozitë, shkruan sot Koha Ditore.

Tash, një opinion i Agjencisë Kundër Korrupsionit është bërë sebep që ta anulojë krejt procedurën. Sipas opinionit, del se Kajtazi ka konflikt interesi. Pikërisht për këtë, 12 ditë pasi u përzgjodh nga Këshilli Drejtues, Kajtazi paralajmëroi se dorëhiqet. Një ditë më vonë do të tërhiqej nga ky vendim pas, siç kishte thënë ai, konsultave me Këshillin Drejtues e MKRS-në. Kishte thënë se e pranon pozitën e drejtorit.