“Sunny Hill Festival” kulmon me Calvin Harrisin dhe hitin e Dua Lipës

Ishte realizuar një vit më parë pa menduar se një ditë do të bënte për vete mijëra adhurues në vendlindjen e këngëtares. Kënga “One Kiss” e producentit skocez, Calvin Harris, dhe Dua Lipës ka qenë momenti kulmor i natës së tretë të “Sunny Hill Fesitval”, shkruan sot Koha Ditore.
Sikundër suksesi i saj në “Brittish Awards” ku kishte fituar çmimin “Best British Single” dhe më pas kishte thyer rekord si më e shitura e vitit, kjo këngë është kënduar në kor nga pjesa më e madhe e të pranishmëve në natën finale që përmbylli edicionin e dytë të Festivalit “Sunny Hill”. Ishte ora 23:58 kur mes efekteve të koreografuara të ndriçimit dhe makinave tymuese doli artistja Dua Lipa, emri i së cilës është bërë identifikim për Festivalin që sjell yjet botërorë në Prishtinë.
