Kulturë

Kosova në hartën kulturore me turizmin urban dhe manastiret

Kosova në hartën kulturore me turizmin urban dhe manastiret
Foto: Koha Ditore/Alban Bujari

Vetëm 9 kilometra në juglindje të Prishtinës, Manastiri i Graçanicës është kthyer në një nga vendet më të vizituara në Kosovë. Me tri apsida nga ana lindore, për historianët e artit kishtar ky manastir paraqet një nga shprehjet më të bukura të arkitekturës bizantine. Ndonëse ngrehina mori formë në vitin 1321, mendimi i gjithëpranuar është se në zanafillë të saj qëndrojnë themelet e një bazilike paleokristiane. Madje edhe një dokument sllav i vitit 1321 tregon se Graçanica u lartua mbi mbetjet e tempullit të moçëm të Shën Mërisë, shkruan sot Koha Ditore.

I përfshirë qysh nga viti 2006 në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Manastiri i Graçanicës vetëm gjatë vitit të kaluar pati mbi 100 mijë vizitorë. Boban Petroviq, drejtor i Organizatës Turistike në Komunën e Graçanicës, ka thënë se institucionet lokale po përpiqen t’i bëjnë sa më të qasshme atraksionet kulturore.