“Zanat” e muzikës së mirëfilltë shqiptare

“Zanat” e muzikës së mirëfilltë shqiptare

23 August 2019 14:20

Secila prej tyre e ka sfiduar veten në skenë, prej kohësh. Tashmë të pestat i kanë shkrirë zërat e tyre në një ansambël të vetëm.

“Zanat” - titullohet ansambli që ka bashkuar këngëtarët, që kanë një lidhje të gjatë me muzikën, sikurse edhe mes vete.

Koordinimin e zërave të tyre shpesh e përcjellin me shumë diskutime, ngritje dhe ulje zëri.

Emri i tyre ka një lidhje me mitologjinë, por simbolizon edhe bashkimin e zërave të tyre.

Pas performancave në ambiente më të vogla, ato debutuan në skenën e festivalit “DAM”. Që prej atëherë, ato kanë lëvizur edhe në vende të tjera të rajonit, raporton KTV.

Ky ansambël përbëhet nga Adelina Thaçi, Elida Kryeziu, Albana Piperku, Diellza Sylejmani dhe Arstina Kelmendi.

Ansambli “Zanat” u themelua në fund të vitit 2017 dhe, që atëherë, po vazhdojnë të ngjallin këngët e vjetra shqipe, të pakënduara prej kohësh.

Ato mbrëmë kanë performuar edhe në Festivalin e Arteve dhe Kulturës Tradicionale “Etno Fest”.

Ky koncert i ansamblit “Zanat” erdhi e u mbyll pa instrumente muzikore, duke e lënë publikun të përqendruar vetëm në zërat e tyre.

Në Amfiteatrin e këtij festivali në Kukaj, ato sollën këngë të ceremonive festive që lidhen me dasmën dhe nusërinë.

“Mirë mrama” - hapi koncertin mbrëmë, për të shtjelluar kronologjikisht historinë e dasmës.

“Ardhja e krushqve” e tradita e marrjes së nuses, u përcollën te audienca nëpërmjet këngëve të tjera.

Të gjitha këngët e kënduara nga “Zanat” erdhën në një harmoni muzikore.

Duartrokitjet e shumta nxitën kthimin e tyre për disa herë në skenë.

“Zanat”, pas koncerteve nëpër festivale të ndryshme, po planifikojnë të sjellin edhe një koncert recital për publikun.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme