Kulturë

Ministria e Kulturës për 10 ditë hap 15 konkurse pune

Ministria e Kulturës për 10 ditë hap 15 konkurse pune

Prishtinë, 11 shtator – Ministria e Kulturës i është kthyer zakonit të vjetër: punësimeve masive në prag të zgjedhjeve. Në dhjetë ditët e para të këtij muaji janë hapur 15 konkurse pune. E janë pranuar në punë 4 veta. Përderisa MKRS-ja pretendon se është duke vepruar në kuadër të ligjeve e rregulloreve në fuqi, partitë opozitare krejt këtë situatë e lidhin me punësimin e militantëve partiakë. Kjo s’është pozitive as sipas këndvështrimit të shoqërisë civile.

Në ditën e dytë të këtij muaji MKRS-ja ka hapur konkurs për dy zyrtarë të personelit e një zyrtar të lartë në këtë divizion. Dy ditë më vonë, listës së gjatë të konkurseve u janë shtuar një zyrtar i lartë i promovimit, dy zyrtarë ligjorë e një për arkiv. Në ditën e pesë të muajit, MKRS-ja ka vendosur ta bëjë me vozitës Galerinë Kombëtare të Kosovës. Po atë ditë, MKRS-ja ka llogaritur se i duhet edhe një zyrtar për shërbim të qytetarëve. Këtë do ta marrë me marrëveshje për Shërbime të Veçanta. Më pas ka qenë radha e konkursit për zyrtar për biblioteka. Një zyrtar për sport, një tjetër për integrime evropiane e një tjetër për financa janë duke u kërkuar që nga dita e martë. Listës së konkurseve të së martës i janë shtuar edhe ai për një historian në Qendrën për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, që do të angazhohet me MShV e po në këtë formë do të angazhohet edhe një shofer në Qendrën për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë.