Lendita Zeqiraj: Filmi është revolta ime

Lendita Zeqiraj: Filmi është revolta ime

Alberina Haxhijaj Alberina Haxhijaj 11 September 2019 12:05

Prishtinë, 11 shtator – Ka qenë viti 2011 kur regjisorja Lendita Zeqiraj në Francë do ta realizonte dokumentarin “We’re Not in Paradise”. Tema s’kishte të bënte direkt me vendin prej nga vinte, por duke prekur çështjen e identitetit, lidhej edhe me rrugëtimin e saj dhe jo vetëm. Zeqiraj, tetë vjet pas realizimit të këtij dokumentari, e ka shfaqur për herë të parë para publikut në Prishtinë. Bashkë me të ka risjellë edhe rrëfimin e saj. Regjisorja, emri i së cilës ka vite që njihet edhe ndërkombëtarisht, filmin e konsideron mënyrë e revoltës së saj.

“Asnjëherë nuk kam pasur rast të luftoj në një mënyrë tjetër përveç kur e kam parë që me film mund ta shpreh revoltën time. Domethënë krejt ajo luftë e imja edhe gjetja e mënyrës se si të luftoj ndonjë padrejtësi, pasi që temat janë sociale, ka qenë ndoshta arma ime e vetme për të prekur më shumë audiencë”, ka thënë ajo.

Në “Project Space” të fondacionit “Shtatëmbëdhjetë” në kuadër të programit “Film Screening & Talk”, të hënën mbrëma përveç dokumentarit me “We’re not...” është shfaqur edhe filmi i saj i fundit i shkurtër “Gardhi”. Për të njëjtët Zeqiraj – e cila se fundmi debutoi në film të gjatë me “Shpia e Agës” i cili në qershor të këtij viti u dha premierë botërore në Festivalin e Filmit në Karlovy Vary, ku mori çmimin nga Federata e Kritikëve të Filmit nga Evropa dhe Mesdheu – ka biseduar edhe me publikun e pranishëm.

Zeqiraj, e cila fillimisht ishte marrë me pikturë, ka thënë se pikërisht ky medium ka qenë edhe baza për ndërtimin e profesionit që do të vinte më pas – regjisë.

“Tani kur i realizoj filmat, prej skenarit i shoh me ngjyra e me të gjitha. S’e di sa është e mirë kjo për një autor që me i pasë të gjitha pikërisht ashtu siç i ka planifikuar. Mirëpo unë deri tani i kam bërë në këtë formë”, ka thënë ajo.

“Dokumentari nuk më ka fjetur si medium, edhe pse i kam bërë disa. Përgjegjësia morale pasi që të kryhet dokumentari më ka bërë që të fokusohem vetëm në fiksion”, ka thënë Zeqiraj. Përmes dokumentarit ajo ka menduar se ka qenë duke ua marrë një copëz jete personazheve të cilat për motive të ndryshme e kanë ndarë me regjisoren kohën e tyre.

Frymën e dokumentarit Zeqiraj e ruan edhe në filmat e saj të shkurtër fiktivë si “Gardhi”, “Ballkoni”, por edhe në filmin e saj të gjatë debutues “Shpia e Agës”.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme