Kulturë

“Joker” thyen rekordin e tetorit me 93 milionë dollarë

“Joker” thyen rekordin e tetorit me 93 milionë dollarë

Los Angeles, 8 tetor – “Joker” ka çarë përpara me rekordin e ri. Pavarësisht kundërthënieve dhe shqetësimeve për çështje të sigurisë, filmi i bazuar në librin komik ka shënuar 93.5 milionë gjatë fundjavës, dhe tani qëndron si lansimi më i madh i tetorit në të gjitha kohërat. Këto shitje biletash me lehtësi kanë thyer etapën e vendosur më parë vitin e kaluar nga superheroi i Sonyt “Venom” me 80 milionë dollarë.

Nën regjinë e Todd Phillips dhe me paraqitjen e Joaquin Phoenixit, “Joker” ka qenë në qendër të vëmendjes në javët që i paraprinë shfaqjes së tij rreth frikës se rrëfimi tronditës i armikut namkeq të Batmanit mund të yshte dhunë. Megjithatë, këto shqetësime nuk kanë sprapsur filmdashësit që të shkojnë masivisht për të parë se për çfarë u bë gjithë kjo tollovi.