Kulturë

“Fryma dhe shpresat e reja” me potencialin e dy instrumentistëve

“Fryma dhe shpresat e reja” me potencialin e dy instrumentistëve

Prishtinë, 7 nëntor – “Fryma dhe shpresat e reja” është titulluar koncerti i cili solli para publikut në Prishtinë fituesit e garës “ArsKosova 2019”. Për më shumë se një orë skena e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, të martën i takoi pianistes Ema Kume, e cila zuri vendin e tretë në gara dhe violinistin Leonardo Dimoski, i cili zuri vendin e dytë. Koncerti i tyre u mbajt në kuadër të edicionit të 20-të të festivalit të muzikës kamertale “KamerFest”. Fituesja e vendit të parë, klarinistja Megi Rexhepi do të performojë më 12 nëntor të njëjtën skenë së bashku me orkestrën harkore “Esta Kosova”.

Mbrëmjen e nisi pianistja 10-vjeçare me një gjysmë recital. Ajo ishte shpërblyer edhe më herët në garat “ArsKosova” në vitet 2017 dhe 2018. Kuma, e cila kompozitor të preferuar e ka Beethovenin dhe në paraqitjet e saj shpeshherë luan veprat e tij, kësaj radhe në Prishtinë solli vepra të kompozitorëve të tjerë. Mbrëmjen e nisi me “12 Preludi colorati, për piano solo” të kompozitorit Rema Vinciguerra, teksa vazhdoi me kohën e tretë të “Sonatës” të Carl Czernyt, “Etude op. 25, nr.2” të Frederic Chopin dhe “Skerco humoristike ‘Macja dhe miu’” të Aaron Copland. Kume vjen nga Shqipëria dhe para katër vjetëve filloi studimet për piano në shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” në Durrës nën drejtimin e pedagoges Ilda Mema.