Kulturë

Pasaporta jugosllave rikthen debatin për fituesin e “Nobelit”

Pasaporta jugosllave rikthen debatin për fituesin e “Nobelit”

Diskutimi mbi afërsinë e Peter Handkes me ish-Jugosllavinë nuk ka të mbaruar, dhe tani duhet të plotësohet edhe me një aspekt: shkrimtari austriak, që mori çmimin “Nobel” për letërsi më 10 tetor, ka pasur pasaportë jugosllave, njofton platforma online “The Intercept”. Nëse pasaporta ishte e vërtetë dhe Handkes do t’i jepej shtetësia jugosllave, atëherë shkrimtari më 1999 do të kishte humbur shtetësinë austriake. Se kur është bërë shtetas serb pas shpërbërjes së Jugosllavisë nuk është mundur të përcaktohet nga “Der Standard”.

Pasaporta, autenticiteti i së cilës është konfirmuar për “Standard” nga miku dhe arkivisti i Handkes, Hans Widrich, ishte dhënë më 15 qershor 1999 nga ambasada jugosllave në Vjenë. Një javë më herët, drama e tij “Die Fahrt im Einbaum oder Das Stück zum Film vom Krieg” ishte dhënë premierë në Wiener Burgtheater. Përmes saj, Handke kritikonte gjykatat për krime lufte, vetëm pak pasi ishte akuzuar presidenti jugosllav, Slobodan Milosheviq. Vetë Handke kishte mbajtur një fjalim në funeralin e Milosheviqit në vitin 2006, për çka ishte kritikuar, shkruan Koha Ditore.