“Javët e kinematografisë hungareze” për fatet njerëzore në kohë të ndryshme

“Javët e kinematografisë hungareze” për fatet njerëzore në kohë të ndryshme

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 16 November 2019 10:14

Janë romët që bëjnë një jetë jo të lehtë. Kushtet me të cilat përballen janë të ngjashme me ato të këtij komuniteti edhe në Kosovë. Jetojnë në një pjesë periferike të Hungarisë.

Midis komedisë e romancës përballja bëhet midis romëve të Hungarisë dhe atyre që nuk janë nga ky vend. “Brazilok” (Brazilianët) për 1 orë e 45 minuta shtjellon me humor situata tejet qesharake e deri diku edhe racizëm. Këtë të fundit e zbut nëpërmjet dashurisë.

Romët e ardhur manipulohen shumë, por edhe janë problematikë. Marrin edhe shenjat e komunikacionit për t’i shitur si hekurishte. Në filmin e regjisorëve Csaba M. Kiss, Gábor Rohonyi, që është dhënë të enjten mbrëma në kuadër të “Javëve të filmit hungarez”, gara në futboll është kryesorja. Romët e ardhur janë tifozë të çmenduar pas Brazilit në Kampionatin Botëror të Futbollit. Krijojnë një klub të tyre e synojnë fitore kundër vendasve në gara lokale.

Ekipi fitues do të shkojë në Brazil. Ekipi i romëve ia vë emrin vetes “Brazilianët”. Zilia e bizneseve dhe administratës lokale shkon deri në atë masë saqë ua burgosin lojtarin kryesor. I biri i një biznesmeni lokal, i ati i të cilit nuk lë gjë pa iu bërë romëve, dashurohet pikërisht në një rome. Në fushën e futbollit ai surprizon rrethin e tij e sidomos të atin kur renditet me ekipin rom. E për veshje të lojtarëve e atlete kujdeset prifti. Krejt historia që shpalos filmi prek shumë ngjyra të jetës së komunitetit, por situatat janë të ndërtuara me shumë precizitet dhe realiteti vjen me shumë humor.

“Javët hungareze të kulturës” kanë filluar në shtator këtë muaj e do të vazhdojnë me kinematografi. Paraprakisht është dhënë filmi “The Witness” e më 19 dhe 26 nëntor do të jene filmat “Ruben Brandt, collector” dhe “Aurora Borealis”.

“Javët hungareze të kulturës” në Kosovë kanë filluar me koncertin e Filarmonisë së Pannon në fund të shtatorit për të vazhduar me koncertet e muzikës jazz në Prishtinë, Gjakovë e Graçanicë. Kinematografia zë vend të rëndësishëm në maratonën kulturore të Hungarisë në Kosovë deri në fund të vitit. (Më gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme