“Rojet e mjegullës” rikthehet me simbolet e lirisë artistike

“Rojet e mjegullës” rikthehet me simbolet e lirisë artistike

Salih Mehmeti Salih Mehmeti 06 December 2019 08:36

Prishtinë, 6 dhjetor – Një gjok i bardhë që ka marrë flakë, plot me hingëllima galopon në një grunajë. Skena pasuese paraqet fshatarë që përpiqen t’i shuajnë flakët që tashmë kanë përcëlluar një pjesë të grurit. Ky është vetëm një nga simbolet e shumta që përshkojnë filmin “Rojet e mjegullës” i shfaqur premierë këtu e 31 vjet më parë. Regjisori i tij, Isa Qosja ishte njëri prej përfaqësuesve të brezit të ri kineast në Kosovë që po ndikohej nga e ashtuquajtura “Valë e zezë”.

Bëhet fjalë për rrymën që risoi kinematografinë jugosllave gjatë viteve '60 e '70. Ishte koha kur filmbërës me nam si Dushan Makavejev e Zhivojin Pavloviq po nismonin një koncept të ri në kinematografinë e asokohshme. Në zemër të krijimeve të tyre kineaste qëndronte dëshira për të rritur lirinë e shprehjes artistike, për të reformuar gjuhën kinematike, por edhe për të paraqitur anën e errët të shpirtit njerëzor. E me këtë kritikohej gjithnjë e më shpesh politika e shtetit ose atë çfarë një kritik i ditëve e quan “stalinizmi i mbetur” në ish-Jugosllavi.

Një interpretim më i thellë i prapaskenave të filmit “Rojet e mjegullës” është bërë të mërkurën mbrëma në qendrën “Multimedia”, ku “ForumZFD” në bashkëpunim me teoricienin Sezgin Boynik dhe regjisorin Isa Qosja organizuan shfaqjen e këtij filmi, shkruan sot Koha Ditore.

Pas shfaqjes së filmit “Rojet e mjegullës”, Sezgin Boynik ka përshkruar disa prej momenteve kryesore që shënuan historinë e kinemasë jugosllave, sidomos periudhën e “Valës së zezë”.

“Ky film i Isa Qosjes është pjesë e historisë së pasur jugosllave të filmbërjes. Në kohën e “Valës së zezë”, motivet kryesore ishin kritikat ndaj burokracisë së shtetit. Jugosllavia asokohe kishte një marrëdhënie të çuditshme me stalinizmin totalitar”, ka thënë 42-vjeçari Boynik, i cili është njohës i teorisë së artit dhe kinemasë. “Jugosllavia ishte shteti i parë komunist që u shkëput nga vija staliniste, por ajo që filmat e ‘Valës së zezë’ donin të vinin në pah ishte se stalinizmi ende kishte mbijetuar në pjesë të caktuara të Jugosllavisë”.

Filmi “Rojet e mjegullës”, sipas tij, ishte edhe një kritikë ndaj ish-ministrit të Brendshëm të Jugosllavisë, Aleksandër Rankoviq, nën regjimin e të cilit kishin hequr më së shumti shqiptarët.

Filmi “Rojet e mjegullës”, në rolet kryesore të të cilit luanin Xhevat Qorraj, Enver Petrovci, Florie Siarina e Çun Lajçi, ishte bazuar përhumbshëm në romanin e Rexhep Qosjes “Vdekja më vjen prej syve të tillë” i botuar më 1974.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme