“Citizen K” me rrëfimin e çuditshëm për rivalin e Putinit

“Citizen K” me rrëfimin e çuditshëm për rivalin e Putinit

Peter Bradshaw 15 December 2019 17:04

Po të ishte Vladimir Putini zotëri Hydei enigmatik i Rusisë së shekullit 21, atëherë Mikhail Khodorkovsky do të ishte dr. Jekylli i tij. Ai është oligark, plutokrat, akter politik dhe një bashkëkohës i Putinit, që megjithëkëtë duket të jetë djalosh i mirë.

Tingëllon krejtësisht i sinqertë në komentin e tij për reformat demokratike në Rusi dhe duket të jetë i pangarkuar nga kodi i pashprehur i gangsterëve që i qeveris nënkuptueshëm të gjithë ata që pasurohen përmes pallatit carist të Putinit, shkruan “The Guardian”, transmeton Koha Ditore. Në fillim, Khodorkovsky u pasurua si pronar i së parës bankë private të Rusisë në vaktin e Yeltisinit, gjatë viteve ’90.

Pastaj mori pjesë në skemën vendore të privatizimit, përmes së cilës qytetarët e varfër rusë u shtrënguan t’ia shesin certifikatat e çmuara të aksioneve Khodorkovskyt dhe të këtillëve si ai për “pesë pare”; Khodorkovsky dhe të tjerët në fund i dhanë hua shtetit pothuajse të falimentuar, në këmbim të së drejtës për t’i blerë shërbimet kombëtare dikur më vonë, me çmime favorizuese.

Filmi i ri tërheqës dokumentar i Alex Gibneyit shpërfaq metamorfozën e jashtëzakonshme të Khodorkovskyt përmes këtyre ngjarjeve. Derisa të gjithë djelmoshat e mençur të passhpërbërjes së Bashkimit Sovjetik vetëm rrinin anash, Khodorkovsky u bë përherë më i vërejtshëm dhe telegjenik teksa i shprehte shqetësimet e tij politike. Me flokët e qethur shkurt, syzet pa kornizë dhe me një xhaketë të zezë bartur mbi xhinse të kaltra, ai duket si një gërshetim i Steve Jobesit dhe Jerry Seinfeldit.

Ndërkohë, fytyra e Putinit dukej përherë më e fryrë dhe e lëmuar, mbase si rezultat i ndërhyrjeve estetike. Gjatë azilit të tij në Londër, ku e sponsorizon aktivizmin kundër Putinit, Khodorkovsky nuk duket i trazuar prej faktit se aq shumë kritikë të Putinit kanë pësuar një fund të dhunshëm në Britani.

Ky fat megjithatë akoma mund ta priste – një gjë kjo që dokumentari mahnitës megjithatë nuk e adreson drejtpërsëdrejti. Khodorkovsky shfaqet tek futet në metronë dhe trenat e Londrës fare i vetëm, si çdo udhëtar tjetër britanik, pa u shoqëruar nga truprojat. Ama padyshim, atij i duhet të udhëtojë me të paktën dy apo tre djelmosha trupmëdhenj.

Qetësia e tij e natyrshme ka të bëjë paksa me faktin se kishte qenë i burgosur një herë më 2013 – pasi që e sfidoi Putinin rreth një rasti të korrupsionit – lidhur me akuzat e montuara për evazion fiskal dhe përvetësime. Siç aludon në mënyrë therëse filmi për jetën e tij, këto akuza vështirë se mund të ishin më të pakuptimta: pasuria dhe prestigji i shtresës ekstra të pasur që qeveris Rusinë bazohet në vjedhjet klasike të pasurive shtetërore.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme