“Flaka e Janarit” sivjet i kushtohet kryengritësit të Anamoravës, Abdullah Tahiri

“Flaka e Janarit” sivjet i kushtohet kryengritësit të Anamoravës, Abdullah Tahiri

14 January 2020 12:54

Në Gjilan ka filluar tashmë “Flaka e Janarit”, manifestimi kulturor përmes të cilit kujtohen e nderohen heronjtë e kombit, që nga periudha e Skënderbeut e deri te lufta e UÇK-së.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, nën përkujdesjen e të cilit mbahet manifestimi, ka thënë se “Flaka...2020” i kushtohet kryengritësit të Anamoravës, Abdullah Tahiri, në 21 vjetorin e rënies.

“Abdullah Tahiri ka qenë një njeri i drejtpërdrejtë dhe impulsiv, i cili ka shpërthyer gjithmonë kundër padrejtësive. Abdullahu i përket grupit të njerëzve të mirë, të njerëzve të mëdhenj që edhe me aktin e sakrificës personale, ka zënë vendin meritor në rreshtin e madh të kolosëve të kombit”, ka thënë kryetari Haziri.

“Flaka e Janarit 2020”, që është hapur me ndezjen e flakadanëve dhe një akademi kushtuar dëshmorit Xhevat Qerimi, do të vazhdojë deri më 31 janar, me aktivitete të tjera, në katër shtyllat kryesore të këtij manifestimi, që i kushtohet heronjve dhe të rënëve për liri.

Aktiviteti i radhës në “Flakën e Janarit 2020” do të jetë “Akademia e Flakës”, më 17 janar, në ora 16:00, në Teatrin e Qytetit në Gjilan e më pas, në ora 17:30, në Galerinë e Arteve do të hapet Ekspozita Kolektive dhe do të jepen çmimet në kuadër të “Penelit të Flakës”.

“Flaka…” vazhdon me Akademinë për Rugovën, më 21 janar, në shënim të 14-vjetorit të shkuarjes në amshim të presidentit të parë të Kosovës.

Nga 22-26 janar mbahet Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, i cili sivjet pritet të jetë i jashtëzakonshëm.

Më 28 janar mbahet Festivali i këngës për fëmijë “Xixat e Flakës” në sallën e Teatrit të qytetit.

Ndërkaq, në ditën e fundit, më 31 janar, zhvillohen dy aktivitete – Ora e madhe letrare “Pena e Flakës”, ku shpallen edhe rezultatet e konkursit letrar si dhe Festivali i këngës popullore “Fest Flaka”.

“Flaka e Janarit”, është shndërruar në një identitet kulturor për Gjilanin, duke e kthyer qytetin e Anamoravës në një kryeqendër të kulturës mbarëkombëtare pikërisht në muajin më të ftohtë të vitit, i cili u përflakë e u përgjak disa herë gjatë rrugëtimit tonë historik për liri e mëvetësi.

Ky është edicioni i 29-të i “Flakës së Janarit”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme