U hap në kryeqytet Festivali i Filmit Evropian

U hap në kryeqytet Festivali i Filmit Evropian

14 January 2020 15:49

Me filmin ‘Kushtetuta’ mbrëmë në kryeqytet, në Kino Armata, është hapur Festivali i Filmit Evropian, prezantuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë.

Filmi me regji nga kroati Rajko Gërliq konsiston edhe me Kroacinë, e cila momentalisht e ka kryesimin e presidencës së Këshillit të BE-së.

Ambasadorja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, mbrëmë gjatë fjalimit të hapjes tregoi se një festival i tillë është i nevojshëm në Kosovë dhe se ky është projekt i financuar nga Bashkimi Evropian.

“Sonte festivalin po e nisim me filmin ‘Kushtetuta’ i cili vjen nga Kroacia, e cila edhe e ka kryesimin e Këshillit të BE-së. Së fundmi, kemi hapur edhe një thirrje për mbështetje të projekteve kulturore në Ballkanin Perëndimor, duke treguar kështu sa ka rëndësi kultura dhe arti, fusha në të cilat ne gjithmonë mbështesim dhe përkushtohemi” tha Apostolova.

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisic, uroi fillimin e festivalit duke treguar se presidenca kroate do të mbrojë bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe një politikë të besueshme dhe efektive të zgjerimit, shkruan KultPlus.

“Filmi që do ta shihni sonte ka fituar mbi 30 çmime në mbarë botën, prandaj shijojeni” tha Barisic.

“Kushtetuta” flet për katër njerëz që jetojnë në një ndërtesë në Zagreb por nuk flasin mes vete meqë shohin se kanë dallime të mëdha mes vete.

Festivali i Filmit Evropian sonte vazhdon me filmin ‘Ray and Liz’, në Kino Armata, prej orës 20:00. / KultPlus.com

Komentet

Shto koment

Të ngjashme