“Nata e leximit” me magjinë e letërsisë për fuqizimin e librit

“Nata e leximit” me magjinë e letërsisë për fuqizimin e librit

Alberina Haxhijaj Alberina Haxhijaj 17 January 2020 08:44

“C’est la nuit!”, titulli i libri me ilustrime i autores franceze për fëmijë, Magali Bonniol, që është lexuar të enjten pasdite në Aleancën Franceze në “Natën e leximit”. Ky aktivitet, por edhe të tjera gjatë vitit që do të organizojë kjo qendër në kryeqytet, në fokus ka inkurajimin e leximit të letërsisë së shkruar nga gratë, leximin e librave me ilustrime dhe nxitjen e leximit në frëngjisht.

Këto tri elemente u përfshinë që në fillim në “Natën e leximit” që këtë vit shënon edicionin e katërt. Në kuadër të tij, çdo të enjte mësuesja Charlotte Ricarte, e cila kalon kohë me fëmijët që bëhen pjesë e aktivitetit, zgjedh që të lexojë diçka. Kësaj radhë, Ricarte përzgjodhi “C’est la nuit!” por s’u ndal me kaq. Për të bërë më interesant aktivitetin u mësoi fëmijëve edhe sesi të realizojnë faqendarës (bookmarks) dhe si t’u thonë në frëngjisht personazheve të librit. Por jo më shumë se katër filloristë e kanë pasur “privilegjin” të marrin pjesë në natën e parë të këtij aktiviteti. Por Aleanca... nuk ndalet. Seria e këtyre ngjarjeve veç sa ka nisur.

Pas aktivitetit, Ricarte u ka treguar nxënësve se mund të huazojnë libra nga Aleanca Franceze u ka dhënë udhëzime sesi të bëjnë diçka të tillë, shkruan Koha Ditore.

“Çdo herë lexojmë një histori të shkurtër. Fëmijët dëgjojnë me vëmendje kur luan me zërin dhe kur kanë fotografi apo imazhe që mund t’i lidhin me fjalët. Leximi ua zhvillon aftësitë e tyre në të folur dhe në të kuptuar”, ka thënë Charlotte Ricarte.

Në mesin e fëmijëve që morën pjesë ishte edhe Aarnav Tewari, prindërit e të cilit janë nga India por që jetojnë në Kosovë. Në frëngjisht ai ka mësuar disa fjalë. Të preferuarën e ka “chat” (mace).

“Historia në libër (C’est la nuit!) ishte për një lepur dhe një ujk. Ujku nuk ishte mik me lepurin, mirëpo pasi që lepuri i ka thënë diçka, janë bërë miq”, ka thënë Tewari, i cili shpeshherë vjen në këtë qendër. Në anglisht bisedon me miqtë e tij që po ashtu janë bërë pjesë e aktivitetit, si me moshataren e tij Liza Berisha.

Por ky nuk është aktiviteti i vetëm që Aleanca Franceze ka në program për këtë vit.

Drejtoresha e Aleancës Franceze, Anne-Sophie Veyrier, ka thënë se biblioteka e tyre ka 3 mijë ekzemplarë, përfshirë këtu librat dhe DVD-të. Ka treguar se dëshirojnë që të realizojnë aktivitete të ndryshme që t’i nxisin njerëzit që të shkojnë në Aleancën Franceze në Prishtinë e të lexojnë.

Përveç organizmit të “Natës së leximit” ka thënë se të enjten në bashkëpunim me Ambasadën franceze në Kosovë kanë hapur edhe konkursin e leximit që do të zgjasë deri më 4 mars 2020 e që synon të inkurajojë leximin e letërsisë së shkruar nga shkrimtaret. Dhjetë libra, me autore franceze, belge dhe zvicerane janë përzgjedhur të jenë pjesë e këtij konkursi të leximit......(Më gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme