Ekspozitë moderne në vilën e Berlinit, ku u planifikua Holokausti

Ekspozitë moderne në vilën e Berlinit, ku u planifikua Holokausti

20 January 2020 08:35

Më 20 janar 1942, pesëmbëdhjetë zyrtarë të rangut të lartë nazistë u takuan në një rezidencë buzë lumit në Wannsee, në jugperëndim të Berlinit. Në këtë mjedis idilik ata diskutuan detajet e të ashtuquajturës ”zgjidhje përfundimtare e çështjes se hebrenjve” – mënyra se si hebrenjtë evropianë do të grumbulloheshin e të dërgoheshin në kampe vdekjeje.

Edhe pse vendimi për shfarosjen e hebrenjve ishte marrë muaj më parë, përpara mbledhjes, procesverbali i Konferencës së Wannsees u bë një dokument kryesor i Holokaustit, dhe vetë mbledhja, një simbol i planifikimit të ftohtë të gjenocidit.

Që nga viti 1992, vila ka shërbyer si një memorial i Holokaustit. Të dielën ekspozita e re e përhershme e Shtëpisë së Konferencës në Wannsee u përurua gjatë një ceremonie ku morën pjesë Michelle Müntefering, ministre e shtetit në Zyrën Federale të Jashtme, dhe e mbijetuara e holokaustit hungarez Eva Fahidi, e cila në fjalimin e saj foli kundër rritjes së antisemitizmit. Ndërsa kujtoi dëbimin e saj në Auschwitz, ajo nënvizoi gjithashtu përfshirjen e autoriteteve hungareze në procesin e shfarosjes që bënë nazistët gjermanë.

“Nga krimet e të parëve tanë vjen një përgjegjësi: përgjegjësia për të mos qëndruar më indiferent. Ky është mesazhi i kësaj ekspozite”, ka thënë Müntefering. Hapja e ekspozitës së re është planifikuar në të njëjtën datë me konferencën famëkeqe, dhe shënon gjithashtu 75-vjetorin e çlirimit të kampeve të shfarosjes naziste.

Përderisa ekspozita e mëparshme ishte e prezantuar me tekste më të gjata, e reja përdor gjuhë më të thjeshtë dhe është më interaktive me faktet e sotshme. Është gjithashtu pa barriera.

Me gjithë formën e saj të thjeshtuar, ekspozita e re synon të integrojë gjetjet më të fundit akademike, ka thënë Hans-Christian Jasch, drejtor i Shtëpisë së Konferencës në Wannsee.

Për shembull, ekspozita e mëparshme ndiqte narracionin se zbatimi i gjenocidit nxitej nga një përkufizim biologjik i antisemitizmit, një interpretim që u bë qendror gjatë gjyqeve të Auschvitzit në vitet ‘60. Por hulumtimet më të reja eksplorojnë se si “autorët nuk ishin të gjithë të motivuar nga antisemitizm”, ka thënë Jasch për DW-në. “Kishte motive të ndryshme dytësore”, siç janë pasurimi personal, xhelozia apo idealja nacionaliste e homogjenitetit etnik.

Një nuancë tjetër e theksuar nga hulumtimet e fundit, ka thënë Jasch, është fakti që nuk ishte një proces linear që u shfaq vetëm në Gjermani. Duke iu referuar studiuesve të tillë, si Andrea Low dhe Omer Bartov, ai tregon se ekzistonte një “mjedis pranues” në Evropë që lejonte përndjekjen e minoriteteve etnike.

Qendër e ekspozitës mbetet konferenca famëkeqe e vitit 1942. Kishte vetëm një kopje të procesverbalit, i njohur si “Protokolli i Wannsees"”, i cili i mbijetoi luftës; të tjerët ishin shkatërruar nga autorët në fund të luftës, në përpjekje për të fshehur emrat e atyre që ishin përfshirë në gjenocid. /DW/

Më gjerësisht lexoni në edicionin e sotëm të “Kohës Ditore”

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme