Tri karikaturat e Jemit – një tregim për Pavarësinë e Kosovës Foto: Alban Bujari / KD

Tri karikaturat e Jemit – një tregim për Pavarësinë e Kosovës

Shaban Maxharraj Shaban Maxharraj 16 February 2020 08:23

Janë tri karikatura që për Pavarësinë e Kosovës krijojnë një tregim. Ishte shkurti i vitit 2008. Të gjithë e dinin se diçka e madhe po vlonte. Por se kur, nuk kishte saktësi të qindpërqindtë, shkruan sot Koha Ditore.

Karikaturisti i “Kohës Ditore”, Jeton Mikullovci- Jemi, numëronte rreth 12 vjet që nëpërmjet karikaturave po paraqiste historinë bashkëkohore të Kosovës. E përshkruante realitetin, e thumbonte atë. Përvoja e tij prekte momente të mëdha, si fillimin e luftës në Kosovë, bombardimet e NATO-s e çlirimin e vendit. Tash ishte koha e një tjetër momenti të madh: shpalljes së Pavarësisë.

“Kur është një moment shumë i madh, mobilizohesh. Do që ta reflektosh ndjenjën që e ke dhe ta kapësh momentin. Nganjëherë mundohesh të bësh diçka shumë të madhe dhe e huq momentin”, thotë Mikullovci, në prag të përvjetorit të 12-të të Pavarësisë së Kosovës.

Vrapi drejt flamurit

Pasditen e 16 shkurtit të 2008-s, Mikullovci ishte i mobilizuar. Pritej që Kuvendi i Kosovës të nesërmen të mbante një mbledhje të jashtëzakonshme. Më të rëndësishmen në historinë e këtij institucioni. Karikaturisti po bluante në kokë versione të ndryshme të një vepre me të cilën do të ilustrohej ajo ditë. Rrëfen se për momente të mëdha duhet pasur shumë kujdes.

Kosova po bëhej shtet. E simboli kryesor i një shteti është flamuri. Por, pamja e tij nuk ishte ende publike. Kësisoj Mikullovci personazhit që portretizonte Kosovën do t’ia vendoste një “flamur” të veçantë e do ta bënte që të vraponte.

Me mbishkrimin “PAVARËSIA”, personazhi, që në shpinë mban mbishkrimin “KOSOVA”, kërkon t’u bashkohet familjes së shteteve. Aty janë flamujt e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar e disa shteteve të tjera.

“Nuk e kam ditur se si duket flamuri. Është përfolur data 17 dhe një tjetër. Kjo karikaturë është botuar edhe në të përjavshmen franceze ‘Courrier International’. Pastaj Sindikata e ‘The New York Times’ e ka një ueb-sajt dhe ka dalë edhe aty”, thotë Mikullovci.

Ata që njohin Jemin e dinë se ai përton fort të flasë për karikaturat. Modestia e tij shkon në nivelin që pasi tregon se karikaturat i janë publikuar edhe në media me ndikim ndërkombëtar, thotë se janë disa ngjarje të mëdha dhe elementet që lidhen me to zënë vend gjithandej. Kësisoj e zbut idenë se karikatura e tij ishte zgjedhur të publikohej shkaku i mjeshtërisë së tij.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme