Krijohet “Kopshti Nexhmije Pagarusha” në Tiranë

Krijohet “Kopshti Nexhmije Pagarusha” në Tiranë

Bashkim Shala 16 February 2020 20:27

Para se të ndahej nga jeta, diva e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha kishte shprehur dëshirën të bëhej pjesë e nismës “Dhuro Pemë për Tiranën”. Një grup artistësh nga Kosova si Sabri Fejzullahu, Shyrete Beluli, Shpresa Gashi, Enkeleda Arifi, Violetë Kukaj, Learta Jakupi, Majlinda Kelmendi, Valbona Petrovci, Shemsie Dermaku, Aferdita Hoxha, iu bashkuan të shtunën kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, në mbjelljen e pemëve te parku i liqenit në Tiranë që do të mbajë emrin “Kopshti Nexhmije Pagarusha”, duke çuar njëherësh në vend një nga amanetet e Nexhmije Pagarushës e cila u nda nga jeta pak ditë më parë.

“Skena të sjell kënaqësi, por profesioni më i rëndësishëm që ka njeriu në jetë është profesioni i qytetarit. Unë besoj se një artist i vërtetë nuk është vetëm në skenën e këngës dhe muzikës, por në çdo skenë. Sot jam vërtet i bekuar që jam rrethuar nga artistë të vërtetë, nga vëllezërit dhe motrat nga Kosova, që e kanë lidhur një pjesë të jetës së tyre me kryeqytetin tonë, Tiranën, që sapo ka mbushur 100-vjeç”, ka thënë Veliaj me këtë rast, raporton Koha Ditore.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se kjo është mënyra më e mirë për ta nisur shekullin e dytë të kryeqytetit, duke lënë pas urrejtjen dhe ndasitë.

“Nuk ka mënyrë më të mirë për ta nisur shekullin e dytë të kryeqytetit tonë, jo duke mbjellë sherr, inat, ndasi, por duke mbjellë pemë, hijeshi dhe bukuri. Dua t’i falënderoj shumë për këtë dhuratë që i kanë bërë Tiranës dhe shpresoj shumë që, si fëmijët e vegjël që sapo takuam, të kuptojmë se ky është misioni i gjeneratës sonë: Ta lëmë Shqipërinë, Kosovën, Tiranën, Prishtinën, më mirë se ç’e gjetëm”, theksoi ai. “Edhe qyteti është si një shtëpi, sa më shumë të punosh, aq më shumë zbulon që duhet bërë. Por, pyetja është: A bëmë çdo ditë diçka për ta bërë më të mirë se dje? A bëri çdo gjeneratë më shumë, për t’ia lënë gjeneratës tjetër më të mirë se ç’e gjeti? Sot përgjigja është po!”, deklaroi Veliaj.

“E falënderoj kryetarin për kujdesin që ka bërë për divën tonë, Nexhmije Pagarushën, për legjendën tonë gjithëshqiptare”, tha artisja e madhe, Shpresa Gashi. Artisti i njohur Sabri Fejzullahu shtoi se në Tiranë po bëhen gjëra mira dhe një ndër to është nisma për të shtuar gjelbërimin. “Si çdo kosovar, e dua Shqipërinë nga kur kam lindur, tani si 75-vjeçar. Dëshira ime dhe e familjarëve të mi për të ardhur çdo dy javë në Tiranë nuk shuhet sepse nëse nuk vij më mungon diçka, një pjesë e jetës time. Kur vij këtu plotësohem. Jo për t’ju thënë fjalë të bukura, por ju përgëzoj për vullnetin, vizionin. Unë po shoh, po prek gjëra të bukura, gjëra fenomenale europiane, që janë të një niveli shumë të lartë, që nëse krahasojmë ekonominë këtu dhe atje, këtu ekonomia është shumë e vogël, por bravo që po na jepni dashuri neve. Ju jeni ozoni i popullit shqiptar, ju jeni frymëmarrja, jeni mushkëria jonë, e fëmijëve tanë. Sinqerisht po. E dua gjelbërimin”, tha ai, teksa bëri thirrje për të lënë pas rivalitetet politike dhe për të punuar të gjithë bashkë.

Këngëtarja e njohur popullore , Shyhrete Beluli theksoi se ky shembull duhet të ndiqet edhe nga të tjerët.

“Unë jam shumë e nderuar që jam në mesin e kolegëve të mi, në mesin e gjithë shqiptarëve, se me Shqipërinë u rritëm me ëndrrën me e pa, por s’kishim se si. Tani na erdhi dita që të vijmë edhe të japim kontributin tonë, dashurinë tonë, të mbjellim diçka që jeton përgjithmonë. Përshëndes kryetarin vizionar, që duhet të jetë shembull për gjithë të tjerët”, tha Shyhrete Beluli.

Pak kohë më parë, bilbili i Kosovës dhe mbretëresha e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha, u prit në Bashkinë e Tiranës në një ceremoni të veçantë, ku kryebashkiaku Erion Veliaj i dha “Çelësin e Qytetit”, në shenjë mirënjohje për gjithçka ajo ka bërë për muzikën dhe artin shqiptar, si simbol i pakontestueshëm i artit, kulturës edhe i asaj çka përfaqëson Shqipëria dhe shqiptarët.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme