Rikthehet shfaqja e Bekim Lumit Arturu Ui në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Rikthehet shfaqja e Bekim Lumit Arturu Ui në Teatrin Kombëtar të Kosovës

18 February 2020 13:35

Teatri Kombëtar i Kosovës njofton opinionin artdashës, mediat elektronike dhe ato të shkruara që nga data 24 shkurt rikthehet në repertorin e rregullt shfaqja e regjisorit të ndjerë Bekim Lumi, “Arturo UI”, e shpërblyer nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (çmimin vjetor - Shfaqja më e mirë e vitit, dhe çmimin vjetor – regjia më e mirë, post mortem, për regjisorin Bekim Lumi)

Me propozim të menaxhmentit dhe me miratim të Këshillit Drejtues të TKK-së, si dhe me gatishmërinë e aktorëve të shfaqjes, shfaqja “Arturo UI” do të jetë në repertorin e rregullt të TKK-së për periudhe njëvjeçare (deri me 01.02.2021). “Besojmë se veprat, artin dhe kujtimet për artistë të nivelit të prof. Bekim Lumit, mund t’i mbajmë të gjalle vetëm duke ruajtur dhe mbajtur gjallë artin e tyre. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një traditë për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave teatrore” thuhet në njoftim e TKK-së.

Gjithashtu, nga data 9-13 mars 2019, ekipi i shfaqjes “Arturo UI” do të jenë pjesëmarrës në festivalin ndërkombëtar të teatrove Bursa International Theater Festival, në vazhdën e festivaleve të shumta që ka marrë pjesë dhe atyre që do të pasojnë.

Me formën, me përmbajtjen, me frymën dhe me vetat e saj, kjo dramë në mënyrë simbolike përshkruan, tematizon dhe pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet ‘30 të shekullit 20. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, trysnitë, tagri dhe kërcënimet ndaj tregtarëve, politikanëve e gazetarëve, deri edhe vrasjet e tyre, alibitë dhe gjyqet farsë, detyrimet e dhunshme dhe shantazhet ndaj dëshmitarëve të krimit, janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame. Për arsye të temës që e trajton dhe të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, kjo dramë ndërlidhet me shumë nga trendet dhe zhvillimet e përçudshme nëpër botë. Si e tillë, ajo vlerësohet si një nga satirat ma të mira politike dhe historike të shekullit ‘20. “Arturo Ui” nuk është inskenuar asnjëherë deri tani në Kosovë. Në shfaqje luajnë aktorët: Bujar Ahmeti, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Labinot Raci, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi dhe Alban Rexhaj. Muzika e shfaqjes është kompozuar nga Dren Suldashi, Asistent regjisor është Bashkim Ramadani. Koreografia:Majlajda Gala, skenografia: Mentor Berisha, kostumografi: Alma Krasniqis

Komentet

Shto koment

Të ngjashme