Rezidenca “Infrared” intervenon në hapësirat e braktisura

Rezidenca “Infrared” intervenon në hapësirat e braktisura

Kreshnik Bekteshi 26 February 2020 22:40

Katër hapësira jokonvencionale në kryeqytet, deri më 1 mars, do të shërbejnë si galeri arti.

Kjo formë e intervenimit në hapësirë, përkatësisht në objekte kryesisht të lëna pas dore, shpalos konceptin e ekspozitës “Additions” të rezidencës artistike “Infrared”, organizuar nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”.

Në ekspozitë arti përdoret si mjet për trajtimin e çështjeve të ndryshme që lidhen me komunitetin dhe të drejtat e njeriut. Intervenimi në hapësira, është synimi tjetër, transmeton KTV.

Kuratorja Blerta Hoçia shpalosi konceptin e ekspozitës dhe ftoi të pranishmit në një udhëtim nëpër kryeqytet, për t’i parë veprat e Blerta Hashanit, Endrit Jashanicës, Renea Begollit dhe Arrita Katonës.

Një barakë e lëshuar me qira më së shumti për të shitur ushqim të shpejtë, si tosti, përmes intervenimit artistik që i ka bërë Blertë Hashani shpërfaq izolimin që ndien artistja. Autoportreti melankolik mundohet të ikë nga hapësira e ndezur përreth saj.

Disa hapa më larg, në një hapësirë tjetër, Endrit Jashanica përmes audios dhe interaktivitetit të vizitorëve ka ngritur pyetje për lëvizjet e ndryshme sociale.

Në anën tjetër, Renea Begolli, përmes videos “Loja e Pritjes” tenton të shohë nëse mund të ndalet pritja dhe çfarë ka pas saj.

Rrugëtimi në kuadër të ekspozitës “Additions” përfundon me “Dhomën e pyetësorit”, ku Arrita Katona ngre pyetje rreth privatësisë.

Ekspozita “Infrared” do të vazhdojë linjën e konceptit të ekspozitës më 27 shkurt në Fushë-Kosovë, ku do të shpalosen veprat e Blend Bytyqit dhe Zana Begollit, për të vazhduar më 3 mars në Mitrovicë me artisten Renea Begolli.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme