Kulturë

Pianistë të dy gjeneratave në harmoni për kompozitorët e mëdhenj

Pianistë të dy gjeneratave në harmoni për kompozitorët e mëdhenj

E ndriçuar vetëm pjesërisht, Salla e Kuqe është përshkuar nga tingujt e pianos me një goxha repertor kompozitorësh të mëdhenj botërorë. Drita që binte mbi dy virtuozët e përkulur mbi piano e ka bërë ripërjetimin edhe më të veçantë. Për mbi katërdhjetë minuta, publikut kryeqytetas iu dhuruan shkëputje të përzgjedhura nga Mozart, Brahms, Ravel e Kusuma. Profesori dhe pianisti Agron Shujaku ka zgjedhur një student të tij që bashkë, si duo, të sprovonin veten me një program mjaft të vëllimshëm. E 15-vjeçari Ledian Shala ia doli mbanë kësaj sprove në duetin pianistik të mbajtur të mërkurën mbrëma në “Sallën e Kuqe”.

Ftesën e profesorit të vet, Lediani e kishte marrë goxha seriozisht. Nga muaji dhjetor kishte nisur me përgatitjet për të parin koncert ku interpretoi kompozitorët e mëdhenj.