Kulturë

Poçari i brezit të tretë

Poçari i brezit të tretë

“Njëherë e pata çelë dugojën në 7 pa 15 të mëngjesit, e një kojshi këtu më tha: ‘Luan, a ke pas mbramë mysafirë a? Shihe sot si është bërë Çarshia’. Kjo është meseleja me të cilën e përfundon bisedën poçari mbase i vetmi në Gjakovë, Luan Çukani. Sipër portës së vogël të dyqanit të tij, në zemër të Çarshisë së Vogël, ai ka tri herë të shkruar numrin e telefonit. Shtëpia e tij nuk është edhe aq larg prej aty, prandaj shumicën e kohës dyqanin e mban mbyllur. E hap vetëm të hënave. E fjali përfundimtare në rrëfimin e tij, në fakt është brenga për gjendjen në të cilën ndodhet aktualisht tregtia në Gjakovë.

Por në rrafshin personal, Çukani nuk ankohet. Ai shet mirë enët prej dheu të dimensioneve të ndryshme. Disa i blejnë për dekor, por shumica i marrin si pjesë e një rivalorizimi të këtyre enëve. Luani është brezi i tretë në familje që e ushtron këtë zeje. Nga dyqani i tij, në një ditë jo pune për të, ai rrëfehet për gjithë historinë e lidhjen me këtë zeje, shkruan Koha Ditore.