Në 70-vjetorin e lindjes, piktori Isa Alimusaj paralajmëron ekspozitë retrospektive

Gili Hoxhaj 02 March 2020 20:42

Në qendër të Pejës, çdo ditë hap atelienë e tij, prej ku krijon vepra me teknika të ndryshme.

Piktori 70-vjeçar, Isa Alimusaj, në pesë dekadat e fundit, zor se e ka kaluar ndonjë ditë pa pikturuar. Ai thotë se numëron rreth 12 mijë punime artistike, raporton “Express” i KTV-së.

Për tërë këto vite pune, veten e ka identifikuar si “Piktor i izoluar”, për shkak se arti i tij ka mbetur i mbyllur vetëm në Kosovë dhe në disa vende të rajonit.

As kur kthehet në vendin ku jeton në Strellc të Deçanit, nuk i ndahet punës. Dy kate të shtëpisë i ka mbushur me piktura.

Për dyzet vjet, opusi i tij krijues është shtrirë në konceptin e titulluar “Profile Dardane”. Për t’i ikur monotonisë, kalon nga cikli në cikël.

Në veprat e tij ka pasqyruar jetën para kulle, profile në shpella, eksodin ndërshekullor, reminishencën fëmijërore, hijet e zanave dhe rrënojat e objekteve.

Në disa piktura, njeriut i ka dhënë formën e gurit.

Qysh prej paraluftës, ai ka nisur të krijojë edhe reliefë të pikturuar. Në to ka zbrazur kujtime të luftës.

Piktori thotë se ka mijëra vizatime, që nuk janë ekspozuar deri tani.

Një teknikë tjetër e tij është kolazhi në letër. Përmes kësaj teknike ka krijuar dramën që lidhet me vitet e ‘90-a në Kosovë.

Isa Alimusaj, në 70-vjetorin e lindjes e ka në plan të hapë një ekspozitë retrospektive me punimet e tij.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme