Zvogëlohet buxheti për kulturën Foto: Koha

Zvogëlohet buxheti për kulturën

13 March 2020 19:47

Rritja e buxhetit prej rreth 7 për qind në nivel vendi nuk ka pasur kurrfarë efekti pozitiv në planifikimet e shtetit për kulturën.

Qeveria e Kosovës synon që Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit këtë vit të ketë 1.3 milion euro buxhet më pak sesa vitin e kaluar. Prej 44 milion e 733 mijë euro, sa kishte vitin e kaluar, institucioni më i lartë kulturor sivjet do të ketë në dispozicion 43 milionë e 406 mijë euro, raporton KOHA.

E pikërisht fusha e kulturës brenda MKRS-së do të ketë 1 milion e 53 mijë euro më pak sesa vitin e kaluar.

Këto shifra pasqyrohen në tabelat e Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020 i cili është miratuar të martën në mbledhjen e Qeverisë.

Lidhur me këtë, është diskutuar në Express të KTV-së, me Arif Muharremin nga qendra multimedia dhe Ares Shportën nga Fondacioni Lumbardhi.

“Pjesa që duhet brengosur është zvogëlimi që i është bërë organizatave të pavarura kulturore sepse konsideroj që këto organizata janë partneri më i madh i ministrisë së kulturës dhe këto organizata janë akteri kryesor se ku duhet të investojë qeveria”, ka thënë Muharremi.

Ndërsa Shporta, nga Lumbardhi, ka bërë të ditur se të martën kanë takim me ministren e Kulturës, Vlora Dumoshi, ku do të paraqesin kërkesat e tyre.

“Fondi për kulturë të pavarur është një instrument që synon zhvillimin e institucioneve të pavarura të kulturës, bashkëfinancimi i garantuar i projekteve evropiane dhe rrethana lehtësuese për organizatat që menaxhojnë hapësira kulturore ku ndodh jeta kulturore gjatë vitit”, ka thënë ai.

Ndërsa, Muharremi, tha se është e domosdoshme strategjia e cila sipas tij duhet të bazohet në tri pika.

“Duhet fokusim në strategji, e cila ka shumë vite, e para është fondi garantues për organizatat e shoqërisë civile që merren me kulturë dhe art, e dyta është edukimi, pra me i arrit pjesët më rurale të Kosovës që nuk kanë qasje në ekspozita, teatro, etj., dhe e treta është rrjetëzimi me organizatat e rajonit, pra të fillohet eksportimi i produkteve të Kosovës”, ka Muharremi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme