Kulturë

Pakoja Emergjente – shpresë për skenën e pavarur kulturore

Pakoja Emergjente – shpresë për skenën e pavarur kulturore

Dymbëdhjetë organizata të pavarura kulturore kanë shprehur përkrahje për vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përkrahjen e organizatave të skenës së pavarur. Pezullimi i të gjitha aktiviteteve kulturore e sportive, në kuadër të masave shtetërore kundër përhapjes së pandemisë së koronavirusit, kishte bërë që ekzekutivi i vendit të hënën e kaluar të miratonte një pako emergjente prej 179.6 milionë eurosh e ku merrej në konsideratë edhe ky sektor.

Por të premten, ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka miratuar edhe Planin Operacional për Pakon Fiskale Emergjente. Sipas njoftimit për media, obligohen të gjitha institucionet dhe njësitë përkatëse të propozojnë vendimet shtesë dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e Planit Operacional për Implementimin e Pakos Fiskale Emergjente. Por deri në ditën e miratimit, më 30 mars nuk ishte e qartë në tërësi se ku do të merren mjetet për pakon emergjente. Fillimisht ishin përmendur se për realizimin e masave do të kërkohet kredi dhe mbështetje nga institucionet ndërkombëtare financiare.