Kulturë

S’ka Panair të Librit në qershor, botuesit presin ndihmën e shtetit

S’ka Panair të Librit në qershor, botuesit presin ndihmën e shtetit
Java e parë e muajit qershor nuk do të sjellë pikëtakimin tradicional mes lexuesve, autorëve dhe botuesve të librit. Të martën, Shoqata e Botuesve të Kosovës edhe zyrtarisht ka njoftuar për pezullimin e edicionit të 22-të të panairit të librit “Prishtina 2020”

Panairi i Librit do të thyejë një traditë dydekadëshe. Nuk do të mbahet në qershor. Organizatorët të martën e kanë zyrtarizuar pezullimin e një prej organizimeve më të mëdha kulturore në vend. Një gjë e tillë qe paralajmëruar qysh në fillim të pandemisë, por për Shoqatën e Botuesve të Kosovës është e pamundur që edicioni i 22-të të mbahet së paku deri në vjeshtë.

“Si rrjedhojë e gjendjes së krijuar me pandeminë COVID-19 dhe vendimeve të Qeverisë së Kosovës, me ç’rast nuk lejohen organizimet e panaireve, pezullohet panairi i 22-të i librit ‘Prishtina 2020’”, thuhet në njoftimin e afishuar të martën në faqen e kësaj shoqate në “Facebook”. “Panairi planifikohej të mbahej, si gjithnjë, javën e parë të muajit qershor. Nuk është anuluar tërësisht Panairi, me shpresën se do të piqen kushtet që ngjarja kryesore e veprimtarisë së librit në Kosovë mund të mbahet në vjeshtë”.