Kulturë

Përse jam i zemëruar: shkrimtari Paul Auster shpjegon Amerikën

Përse jam i zemëruar: shkrimtari Paul Auster shpjegon Amerikën

Në kohëra të krizës, siç është kjo e pandemisë, janë të rëndësishme sidomos mendimet e shkrimtarëve, të cilët kanë një qasje tjetër ndaj realitetit në krahasim me mediat apo politikanët. Shkrimtari Paul Auster, ndër autorët më të rëndësishëm amerikanë, me romane të përkthyera në mbi 40 gjuhë (edhe në shqip), në një intervistë për gazetën gjermane “Die Zeit” flet për Donald Trumpin (flet është fjalë e butë!), tregon si është gjendja në New York, shpalos dobësitë e demokracisë amerikane, është i bindur se Barack Obama ishte njeri i mirë, por jo politikan dhe shpreson se presidenti i ardhshëm do të quhet Joe Biden, i moshuar, jo aq i mençur, por prapë më i mirë se Trumpi.

Prej se virusi nga Kina është futur si mysafir i paftuar në botën perëndimore, jeta publike është në gjendje të jashtëzakonshme. Në dekadat e fundit kurrë s’ka pasur kaq shumë interesim për mendimet e shkencëtarëve. Virologët janë shndërruar në instanca publike, partitë që shpotiteshin si të “vjetra” befas gëzojnë përkrahje të madhe, ndërsa popullistëve u mungojnë temat e tyre të përhershme: urrejtja ndaj elitave dhe ndaj të huajve. Mediat e etabluara janë bërë burim kryesor (në mos i vetëm) i informimit, kurse portalet me të “vërteta alternative” administrojnë teoritë e komplotit.