Kulturë

Kalaja e Harilaqit e restauruar para një dekade vazhdon të shkatërrohet

Kalaja e Harilaqit e restauruar para një dekade vazhdon të shkatërrohet
Ani pse projekti kishte kushtuar mbi 70 mijë euro, kjo është gjendja e mureve dhe strukturave të Kalasë së Harilaqit pikërisht aty ku ishte punuar në emër të restaurimit

Shën Flori e Lauri në gjysmën e dytë të shekullit II kishin shkuar në Ulpianë për të ndërtuar një tempull, ku kanë vendosur reliktet e krishtera duke shkatërruar idhujt paganë. Ky veprim kishte irrituar administratën e qytetit, e cila binjakët i kishte torturuar, ekzekutuar. I kishte hedhur në pus. E dy martiriumet në Kalanë e Harilaqit mendohet të jenë ndërtuar për t’i ruajtur reliktet e tyre.

Por gjendja e martiriumeve është e rëndë. Gati 11 vjet pas restaurimit të strukturave të tyre, ato janë në shkatërrim e sipër. Kushtet meteorologjike e vlerësimet se restaurimi nuk ishte i duhuri dalin të jenë arsyet e gjendjes aktuale. Materiali lidhës nuk i ka mbajtur gurët e tullat, përderisa vegjetacioni gati i ka mbuluar. Kalaja llogaritet të jetë një pikë unikate në Ballkan e më gjerë duke pasur parasysh strukturat me destinim specifik. Muri rrethon një sipërfaqe prej 1.3 hektarëve. Janë zbuluar kulla të jashtme dhe të brendshme, objekte profane dhe sakrale. Pjesë e kompleksit është edhe një kishë.