Kulturë

Kinema “Maks Velo” – shëmbëlltyra e jetës së ndarë në dysh

Kinema “Maks Velo” – shëmbëlltyra e jetës së ndarë në dysh
E projektuar në vitet ’70 nga Maks Velo, kinemaja, që dikur quhej “Ylli i kuq” në Laprakë, tash e tutje do ta mbajë emrin e artistit disident shqiptar. E rikonstruktuar me financimin e Qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, godina tash e tutje do të jetë në shërbim të artistëve të rinj dhe banorëve të njësisë Laprakë, në kryeqytetin shqiptar

Artistët e rinj tiranas tani do të kenë edhe një hapësirë të re për t’i shfaqur krijimet e tyre. Në Laprakë të Tiranës i është “prerë” shiriti përurimit të kinemasë që ishte projektuar në vitet ’70 nga arkitekti Maks Velo. Tri javë pas shuarjes së tij, kjo hapësirë do të mbajë zyrtarisht emrin e tij.

“Maksi e ndoqi këtë projekt me miqtë italianë dhe kolegët shqiptarë. Me këtë dinjitet që po rikthehet, me dizajnin dhe emrin e Maksit, kjo është një bizhu në zemër të Laprakës”, ka deklaruar kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas përurimit të së mërkurës.