Kulturë

Rezonanca e tragjedisë së Euripidit në të sotmen

Rezonanca e tragjedisë së Euripidit në të sotmen
Skenë nga shfaqja “Elektra/Oresti”, në regji të Ivo van Hove, në “La Comédie française”, Paris (Foto: Victor Tonelli)

Në këta dy vjetët e fundit, tragjedia greke në skenat e teatrove të Belgjikës dhe të Francës është bërë më e pranishme. Jehonë të veçantë pati vënia në skenë e dy pjesëve të Euripidit, “Oresti” (e shkruar në vitin 408 p.e.s.) dhe “Elektra” (e shkruar në vitin 410 p.e.s), si diptik në një shfaqje në teatrin nga më prestigjiozët të Parisit, në “La Comédie française“. Kurse,në Lyon u shfaq, në mbarim të vitit të kaluar, “Orestia” e Eskilit, nën regji të M. Lavaudant. Ndërkaq, regjisori Milo Raud vuri në skenë, në qytetin Gand të Belgjikës, shfaqjen “Oresti në Mosul”.

Regjisori i shquar belg Ivo van Hove e vuri në skenë shfaqjen “Elektra/Oresti“, si një diptik, edhe në Greqi në teatrin antik të Epidaurit, verën e kaluar. Në “La Comédie française“ kjo shfaqje u luajt në tre muajt e vitit të kaluar dhe në muajt e parë të këtij viti. Ishte paraparë që ajo të luhej deri në muajin maj, por në fillim të muajit mars u ndërprenë shfaqjet kur u vendosën masat e izolimit për shkak të COVID-19. Këtë shfaqje e kam parë në muajin janar. Kjo shfaqje shpaloset me një ritëm të rrëmbyeshëm, me skena të dhunshme, me vrasje e hakmarrje të përgjakshme dhe me përplasje të pasioneve, të cilësuara më së shumti me urrejtje e mëri.