Kulturë

“Sakati nga Inishmani” për mosdorëzimin përballë kufizimeve

“Sakati nga Inishmani” për mosdorëzimin përballë kufizimeve

Të jetuarit në ishull, në izolim prej botës, është fati kolektiv. Jeta midis tyre është përplasje. Përplasjet janë shkaku i tjetërsimit të tyre e kjo ua mbyll sytë edhe ndaj vlerave njerëzore. Kryepersonazhi është djaloshi me nevoja të veçanta, i cili pos me gjendjen e tij përballet edhe me të zvetënuarit që e rrethojnë. Për ta bëhet shembull i njeriut që s’heq dorë prej ëndrrave, tek synon edhe Hollywoodin. Në tërësi shfaqja “Sakati nga Inishmani” – premiera e parë për sivjet e teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës – është thirrje për barazi

Pothuajse gjithçka zhvillohet në ishull. Bëhet fjalë për jetën në “Inishman”, mesin e ishujve Aran në Gjirin Galway, në brigjet perëndimore të Irlandës. Është një vend jo shumë i banuar. Kjo manifestohet shpesh edhe gjatë shfaqjes. Banorët e njohin mirë njëri-tjetrin, ua dinë të fshehtat shoqi-shoqit dhe si pasojë ato janë edhe subjekt i bisedave të tyre. “Sakati nga Inishmani”, që shënoi premierën e parë për këtë vit në teatrin e qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu”, u dha të mërkurën mbrëma premierë para një numri të kufizuar të pjesëmarrësve, duke respektuar distancën fizike për parandalimin e pandemisë së koronavirusit. Ani pse s’ka vendim për hapjen e teatrove njashtu sikurse edhe të kinemave, rreth 100 veta, ulur me karrige bosh në mes, kanë qenë publiku i kësaj shfaqjeje, raporton KOHA