Kulturë

Pianistes nga Kosova i hapen dyer të reja pas garës universitare në Gjermani

Pianistes nga Kosova i hapen dyer të reja pas garës universitare në Gjermani

Fitorja në garën midis studentëve të Universitetit të Münsterit në Gjermani, pianistes së re nga Kosova, Fatjona Maliqi, i ka hapur dyer të reja në karrierë. Do ta përfaqësojë universitetin ku studion në serinë prestigjioze “WDR3 Campus-Konzerte”. Interpretimi i saj do të transmetohet drejtpërdrejt më 8 dhjetor në radion publike gjermane “WDR3”, që ka një shtrirje në krejt Vestfalinë e Rajnës Veriore, me 13 milionë banorë.

Maliqi për këtë prezantim nuk u ka ikur veprave të vështira të literaturës pianistike. Bëhet fjalë për “Diabelli-Variacionet” të kompozitorit gjerman Ludwig van Beethoven. Këtë vepër, për një orë pa ndërprerje, ajo pritet ta interpretojë në pianon e punuar nga gjermano-austriaku me nam, Conrad Graf (1782- 1851) në Vjenë më 1826.