Kulturë

Memoriali i Holokaustit në Tiranë – frymëzim e shembull i humanizmit

Memoriali i Holokaustit në Tiranë – frymëzim e shembull i humanizmit
“Ky monument ngrihet për t’i kujtuar dhe nderuar gjashtë milionë hebrenj të Evropës që u vranë, si dhe qytetarët e Shqipërisë që vepruan me vetëmohim për t’i mbrojtur hebrenjtë në një kohë kur pjesa tjetër e botës nuk i mbronte”, është shkruar ndër të tjerash në Memorialin e Holokaustit, i përuruar të enjten në Tiranë

Shqipëria është një nga të paktat vende që gjatë Luftës së Dytë Botërore ua hapi dyert hebrenjve që ndiqeshin nga nazistët. Ndaj, në kujtim të jetëve të humbura në Evropën e atyre viteve të errëta dhe në nderim të shqiptarëve që hapën shtëpitë e tyre të varfra për t’i strehuar dhe mbrojtur, Tirana tashmë ka një memorial në Kodrat e Parkut të Madh të Liqenit Artificial. Është quajtur Memoriali i Holokaustit.

Në ceremoninë e përurimit të enjten kanë marrë pjesë kryeministri Edi Rama, ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, ambasadori i Izraelit, Noah Gal Gendler, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe pasardhës të familjeve që shpëtuan hebrenjtë.