Kulturë

Punimet në Prishtinë nxjerrin kalldrëmin, kërkohet ruajtja e tij

Punimet në Prishtinë nxjerrin kalldrëmin, kërkohet ruajtja e tij

Pak rrugë me kalldrëm ka ruajtur kryeqyteti e shumë sosh sot janë vetëm në kujtime e imazhe fotosh të vjetra. Punimet e kanë nxjerrë sërish në pah, siç është rasti te shkolla fillore “Elena Gjika”, por deri tash nuk ka shenja se do të ruhet. Ata që merren me trashëgimi kulturore kanë thënë se ajo zonë duhet të ruhet bashkë me rrugët që duhet t’u rikthehet pamja e moçme. Kësisoj, edhe e kaluara do të mund të integrohej në infrastrukturën e sotme

Punimet në rrugën “Zjenel Salihu” në Prishtinë, kanë kthyer pjesërisht imazhin e dikurshëm të Prishtinës a të fotove të moçme, kur rrugët e kryeqytetit ishin të shtruara me kalldrëm. Pak të tilla ka nëpër atë që njihet si “Prishtina e vjetër”. E heqja e asfaltit te shkolla fillore “Elena Gjika” e ka nxjerrë në pah, por bashkë me të po hiqen edhe gurët e kalldrëmit. Janë lënë anash rrugës, grumbull në trotuar. Në të njëjtën rrugë gjendet edhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Do të punohet edhe në rrugën “Ernest Koliqi”, poshtë së cilës po ashtu “fshihet” kalldrëmi. Për dallim prej rrugëve ku asfalti kishte mbuluar gurët e dikurshëm, ajo që gjendet në anën perëndimore të shkollës e ruan autenticitetin.