Kulturë

Shkrim i panjohur i Koliqit: “Edhe po të pranojmë se Noli pat njolla, tre veprat e shkëlqyeshme, krejt i’a shlyejn…”

Shkrim i panjohur i Koliqit: “Edhe po të pranojmë se Noli pat njolla, tre veprat e shkëlqyeshme, krejt i’a shlyejn…”

Memorie.al publikon një shkrim të panjohur të poetit, studiuesit, shkrimtarit, botuesit, politikanit dhe eksponentit të famshëm të mërgatës politike antikomuniste shqiptare në Perëndim, Ernest Koliqi, për Stefan Stiljan Nolin, ku ai pasi ka bërë një jetëshkrim të shkurtër të origjinës dhe familjes ku u rrit Noli, është ndalur dhe ka analizuar disa nga anët më të ndritura të veprimtarisë së tij politiko-atdhetare, “pasojat e mira të të cilave edhe sot ndihen në rrjedhë të historisë shqiptare e janë: themelimi më 1909 i fletores “Dielli”, praleludim i themelimit të Shoqatës pan-shqiptare “Vatra” në Boston, më 1912 në bashkëpunim me Faik Konicën, pranimi shpëtues i shtetit shqiptar në Lidhjen e Kombeve me 17 dhetuer 1920, e krijimi i Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare. Edhe po të pranojmë se për hypotezë se Fan Noli pat njolla, këto tri vepra të shkëlqyeshme krejt ia shlyejnë. Natyrisht këtyne meritave kombtare e patriotike, u shtohen ato shum shum të mëdhja, asi shkrimtar q’i i’a skalisin emnin me shkrola arit në historinë e letërsis shqipe”.

Stefan Stiljan Noli, një ndër pesonalitetet ma të spikatuna q’i shprehi nga gjini i vet kombi shqiptar, paraqitet posi një fytyrë poliedrike, d.m.th. e shumëanëshme, e cila gja lodhë menden e kujtodo kur vjen momenti me dhanë një gjykim synthetik mbi rrolin që ai lujti në botën shqiptare. Kush jeton si i ndodhi atij ma se tetëdhet vjet dhe në një periudhë historike ma të stuhishmet qi njofti njerzimi, lehtaz bahet objek kritikash sepse një jetë kaq e gjatë rrethohet me fazat e ndryshme të saj, me dritat e me hije të cilat ndoshta shkaktohen nga rrethinat, nëpër të cilat u përshkue, ma se një vullnet i prem dhe i paravendosun m’u sjell ashtu si u suell. Si të gjithë njerzit me një vlerë të veçantë edhe Fan Noli nderohet e përçmohet me ngulmim qi shpesh herë arrin në parosizëm ndër lëvduesa e prozhmuesa të tij.