Kulturë

Masat kundër pandemisë pezullojnë edhe aktivitetet e muzeve dhe galerive

Masat kundër pandemisë pezullojnë edhe aktivitetet e muzeve dhe galerive
Foto: Driton Paçarada / KOHA

Pa u bërë dy muaj prej hapjes së muzeve dhe galerive, Qeveria ka marrë vendim për pezullim të serishëm të aktivitetit të këtyre institucioneve. Kthimi i kësaj mase është bërë shkaku i shpërndarjes enorme të koronavirusit. Qeveria të martën ka nxjerrë vendimin, përmes të cilit edhe muzetë e galeritë llogariten si hapësira me rrezik për shpërndarjen e virusit. Këto institucione kishin nisur aktivitetin më 18 maj në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve. Por rritja e numrit të të infektuarve i ka kthyer në gjendje të mëparshme.

“Pezullohen aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës (përfshirë fitneset, pishinat, shkollat e futbollit dhe sporteve e tjera, trajnimet e kësaj lëmie etj.). Të gjitha aktivitet e lartcekura që zhvillohen në ambiente të hapura detyrohen të zbatojnë në përpikëri kushtet e parapara në Manualin për mbrojtje nga COVID-19”, shkruhet në vendimin e Qeverisë.