Kulturë

Komuna e Prizrenit akuzohet për jotransparencë me subvencione në kulturë, rini e sport

 

Monitoruesit nga shoqëria civile kanë vlerësuar se Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Komunën e Prizrenit ndarjen e subvencioneve e bën në mënyrë jotransparente. Sipas organizatës joqeveritare “EC Ma Ndryshe” kërkesat që listat përfundimtare të përfituesve të publikohen me më shumë informata nuk janë përfillur nga zyrtarët komunalë. Madje kjo organizatë ka shprehur qëndrimin se mospërfillja e këtyre kërkesave krijon hapësirë për dyshime për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e parasë publike.

“EC Ma Ndryshe”, sikurse edhe Rrjeti i Organizatave të Kulturës, kanë kërkuar nga DKRS-ja dhe DTZHE-ja që gjatë publikimit të listave përfundimtare të përfituesve, krahas titullit të projektit dhe emrit të përfituesit, të përfshijë edhe informatat si në vijim: Kriteret e vlerësimit, në bazë të cilave janë përzgjedhur përfituesit; Listën e anëtarëve të komisioneve; Përshkrimin e shkurtër të projektit dhe rezultatet e pritura; Shuma financiare e aplikuar me projekt nga organizata/shoqata; Shuma financiare e përkrahur nga DKRS”, ka shkruar “EC...”. Me këtë, kjo organizatë konsideron se me publikimin e këtyre informatave dhe dokumenteve, drejtoritë komunale do të tregonin transparencë dhe llogaridhënie, duke dhënë shembull për praktika të mira të qeverisjes. Në reagimin e “EC-it” theksohet se kërkesa e njëjtë është adresuar edhe në MKRS, me qëllim që kjo ministri të bëhet model i transparencës dhe llogaridhënies, si dhe praktikave të mira të qeverisjes edhe për nivelin lokal, përkatësisht për drejtoritë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.