Kulturë

“Hardh Fest”, me rockerin anglez Robert Plant, synon ta sfidojë pandeminë

“Hardh Fest”, me rockerin anglez Robert Plant, synon ta sfidojë pandeminë

Kantautori anglez Robert Plant, i cili në vitin 2011 ishte radhitur si lideri më i mirë nga revista e amerikane “Rolling Stone”, ka mundësi të vijë në Kosovë. Por, nëse pandemia e pamundëson mbajtjen e aktiviteteve kulturore, vokalisti i grupit të njohur “Led Zeppelin” mund të mbajë koncert online. Të paktën kështu janë planet e organizatorëve të festivalit “Hardh Fest” për edicionin e tyre të gjashtë, që pritet të mbahet në shtator.

Drejtori i festivalit, Agron Sokoli, ka thënë për KOHËN se janë në diskutime që ylli kryesor i “Hardh Festit” sivjet të jetë Planti. Stafi i festivalit që mbahet në Rahovec po planifikon që t’i mbajë aktivitetet e shumta, përfshirë edhe garën për të rrëkëllyer gota me raki, e deri te përzgjedhja e “Mbretëreshës së rrushit”.