Kulturë

Kapaku i sarkofagut antik si koritë e çezmës në Topliçan të Lipjanit

Kapaku i sarkofagut antik si koritë e çezmës në Topliçan të Lipjanit

Shërben si vaskë apo koritë e ujit. Përdoret për çezmën publike përballë xhamisë së fshatit Topliçan të Lipjanit. Për disa dekada ka këtë funksion pranë kroit, që sipas gdhendjes në çimento u rregullua si çezmë në vitet ’90 të shekullit të kaluar. Por vaska e gurtë, ku të martën pinin ujë disa lopë të fshatit, rreth 1600 vjet më parë kishte krejt tjetër funksion. Shërbente si kapak a mbulojë e një sarkofagu, ku zinin vend mbetjet mortore të një njeriu të këtyre anëve.

Sipas të dhënave preliminare, duhet të datojë që nga shekujt III-IV. Kjo pjesë e sarkofagut apo arkë-mortit antik ishte parë nga historiani Avni Bajrami, i cili jeton në Lipjan. Atij i kishte rënë në sy gjatë vizitës që po bënte te miqtë në fshatin Topliçan, nja pesë kilometra në jug të Lipjanit .