Kulturë

Raportet e konsujve austro-hungarezë: më shumë dritë në tunelin e historisë

 

Pas një pune disavjeçare, historianët Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz kanë botuar në Vjenë raportet e konsujve austro-hungarezë nga Vilajeti i Kosovës dhe nga Kosova e sunduar nga serbët. Raportet përfshijnë periudhën e ndryshimeve dramatike mes viteve 1870-1914, pra nga faza e vonshme e Perandorisë Osmane deri në pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe vendosjen e sundimit ushtarak. Këto raporte ofrojnë një pamje të re të historisë së Kosovës, sidomos të përditshmërisë së popullsisë, krizave lokale dhe rajonale, aleancave dhe ngatërresave mes krerëve shqiptarë dhe dhunës si pjesë pothuaj e pandashme e jetës sociale. Përkthimi i këtyre raporteve në gjuhën shqipe do të duhej të ishte prioritet i institucioneve të dijes në Prishtinë. Raportet janë një bazë e rëndësishme për një histori të Kosovës që duhet të shkruhet në të ardhmen, larg miteve dhe sa më afër realitetit

Raportet e konsujve austro-hungarezë nga Kosova nuk kanë qenë të panjohura. Herë pas here historianët shqiptarë kanë cituar ndonjë prej tyre. Por deri më tani këto dokumente të rëndësishme nuk janë botuar në origjinal. Shpeshherë cilësia e përkthimeve sporadike nuk është përtej çdo dyshimi, pastaj edhe përzgjedhja është bërë në kontekstin e ngushtë nacional-historiografik.

Tani, për herë të parë, studiuesit e fushave të ndryshme, sidomos historianët, por edhe të interesuarit e tjerë – prej gazetarëve deri te lexuesit kureshtarë – kanë mundësi t’i shfrytëzojnë si burime 4 vëllime voluminoze me raporte të konsujve austro-hungarezë (parakusht është, natyrisht, njohja e gjuhës gjermane). Është një punë e vyeshme, monumentale, që e kanë bërë prej vitesh historianët Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz, shkruan KOHA.