Kulturë

Njëqind abetare për rrugëtimin e vështirë të shqiptarëve

Njëqind abetare për rrugëtimin e vështirë të shqiptarëve
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka ekspozuar rreth 100 ekzemplarë origjinalë të abetareve shqipe që reflektojnë përpjekjet për të lëvruar gjuhën shqipe një shekull më parë

Në historinë e abetareve shqipe është e brendashkruar edhe vetë përpjekja për pavarësi dhe mbrojtje të identitetit kulturor të shqiptarëve. Secila prej tyre është një rrëfim në vete, madje shpesh e paguar edhe me gjak. Si për ironi të historisë, abetaret e para shqipe u shkruan jashtë trevave shqiptare: Bukuresht, Stamboll, Athinë, Selanik, Bruksel, Paris e Firence. Kështu, Biblioteka Kombëtare në Tiranë të mërkurën pasdite ka ekspozuar për herë të parë ekzemplarë të rrallë të teksteve të abetareve.

E hapur në hollin e Muzeut Kombëtar në Tiranë, ekspozita retrospektive “Abetaret e gjuhës shqipe 1844-1942” ka sjellë ekzemplarët origjinalë të abetareve me autorë si Naim Veqilharxhi, Konstantin Kristoforidhi, Anastas Kullurioti, Thoma Pano, Koto Hoxhi, Jeronim de Rada, Sami Frashëri, Jani Vreto, Shefqet Daiu, Pashko Vasa, Parashqevi Qiriazi, Aleksandër Xhuvani e të tjerë. “Kjo ekspozitë retrospektive sjell për publikun rreth 100 abetare që ruhen si një trashëgimi e vyer, nga Abetarja e Naum Veqilharxhit e vitit 1844, deri në botimet e vitit 1942, duke shërbyer edhe si një kujtesë e personaliteteve dhe e figurave të shquara të kombit”, thuhet në njoftimin e BKSH-së.