Kulturë

Artistja e kapitullit të ri për qeramikën

Artistja e kapitullit të ri për qeramikën

Derisa po studionte pikturën në Fakultetin e Arteve në Univeristetin e Prishtinës, Laura Sllamniku-Kryeziu do të zbulonte një pasion shtesë. Ishte puna me qeramikën. Kishte shkuar në Tiranë, në Akademinë e Arteve për të parë mundësi të transferimit të studimeve në Degën e Skulpturës, e ku mësohej edhe puna me qeramikë. Por fakti që duhej të niste studimet nga e para, nuk do t’i pëlqente. Do të merrte më të mirën nga artistja Fatmira Kuçuku. Krejt kjo në vitin 2003. Do të kthehej në Prishtinë, për të përfunduar studimet për pikturë e për të vazhduar artin në qeramikë. E pikërisht ky material, sipas saj, është lidhja e fortë e artit me zanatin.

Ajo thotë se procesi i realizimit të një pune të qeramikës është i gjatë. Tash i bën të gjitha vetë, që nga modelimi e deri në realizimin e veprës artistike. E në këto vepra, rrallë mungojnë detaje nga historia, tradita dhe mitologjia e Kosovës, herë të dukshme e herë të koduara. Teknika “raku” të cilën e përdor në punën e saj, thotë se është kurora e artit të qeramikës.