Kulturë

Çmimet për teatër mbesin pezull, Ministria e juria s’merren vesh

Çmimet për teatër mbesin pezull, Ministria e juria s’merren vesh

Ministria e Kulturës nuk po ia del që të përfillë rregulloret që vetë i ka miratuar. Ajo për ndarjen e çmimeve për teatër është një prej akteve nënligjore që është shkelur nga institucioni më i lartë kulturor në vend. Sipas kësaj rregulloreje të miratuar në vitin 2014, çmimet ndahen në Ditën Botërore të Teatrit, më 27 mars. Por MKRS-ja nuk ia ka dalë ta bëjë këtë as gjashtë muaj më vonë. Deri në korrik nuk kishte as juri. Ajo e emëruar më 30 korrik ka dalë të jetë një problem më vete. Më 5 gusht ishin mbledhur katër anëtarët e jurisë: regjisorët Marigona Bekteshi, Agim Selimi, Jeton Ahmetaj dhe dramaturgia Seadet Beqiri. Për shkak se ndodhej jashtë vendit, kishte munguar regjisori Fatos Berisha.

Përderisa katër anëtarë të jurisë konsiderojnë se kanë përfunduar punën, MKRS-ja konsideron se procesi nuk është mbyllur. Të mërkurën dorëheqje nga juria ka dhënë regjisori Fatos Berisha. Një letër publike e kostumografes Samka Ferri është midis zërave që kanë shprehur pakënaqësi me vendimet e jurisë që nuk ishte në përbërje të plotë.