Kulturë

Harrohet restaurimi i Xhamisë ku u investuan mbi gjysmë milioni euro

Harrohet restaurimi i Xhamisë ku u investuan mbi gjysmë milioni euro
Restaurimi i Xhamisë së Gurit nisi më 2011 për t’u ndërprerë më 2013. Ani pse në emër të restaurimit janë shpenzuar mbi gjysmë milioni euro, ky monument është duke u dëmtuar çdo ditë

Pas dënimeve të personave zyrtarë për keqpërdorime, mosmarrëveshjeve midis Komunës së Prishtinës e institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe një memorandumi trepalësh, Xhamia më e vjetër e Prishtinës mbetet monument i braktisur. Edhe pse u investuan gjysmë milioni euro në Xhaminë e Gurit, ajo është duke u dëmtuar çdo ditë. Restaurimi i nisur më 2011 nuk ka përfunduar. Historia e asaj që njihet edhe si Xhamia e Çarshisë është një prej dëshmive konkrete të qasjes së shtetit ndaj trashëgimisë kulturore. Bëhet fjalë për një monument që gjendet në qendër të kryeqytetit.

Dokumenti i fundit i nënshkruar për restaurimin e këtij aseti të trashëgimisë Kulturore është Memorandumi i bashkëpunimit midis Ministrisë së Kulturës, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Bashkësisë Islame të Kosovës. Por prej korrikut të vitit 2018, kur u firmos ky dokument, krejt çfarë është bërë, është një hap procedural. TIKA-s i është miratuar projekti nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.