Kulturë

Kthehet në origjinalitet monumenti pesëshekullor në Berat

Kthehet në origjinalitet monumenti pesëshekullor në Berat
Janë dashur më shumë se tre vjet punë restauruese që arkitekturës dhe detajeve të Xhamisë Mbret në Berat t’u kthehet pamja origjinale

Xhamia Mbret në Berat është pasuruar edhe më, pas restaurimit të detajeve të mureve të brendshme. Janë dashur më shumë se tre vjet punë që arkitektura e rafinuar në tavanin e xhamisë të marrë pamjen origjinale, raportojnë mediat në Shqipëri.

Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Berat, Eugen Kallfani, kanë përfunduar 90 për qind të punimeve, përderisa ka mbetur edhe vendosja e dyshemesë, tapetit, instalimet elektrike, vendosja e shandanëve në sallën e lutjeve, restaurimi i parmakëve të mahfilit, restaurimi i mihrabit dhe ndriçimi i jashtëm dekorativ. Ai ka thënë se kanë përfunduar krejtësisht punimet më delikate që kishin të bënin me restaurimin e tavaneve, të pjesës së hajatit dhe të sallës së lutjeve. Por puna nuk do të përfundojë me kaq.