Kulturë

“Gruaja dhe dielli” si burim i jetës në jubileun e “EtnoFestit”

“Gruaja dhe dielli” si burim i jetës në jubileun e “EtnoFestit”

Me mbetje metalike, është një prej portreteve të grave që zënë vend në ekspozitën e Shemsi Krasniqit në fshatin Kukaj. “Portret gruaje I. Gojë ka gojë s’ka” renditet midis punimeve të ekspozitës “Artefakte”, që përben programin e pasur të edicionit e 10-të të festivalit të arteve dhe kulturës tradicionale “EtnoFest”, i hapur të premten. Edicioni jubilar ka pikërisht gruan në qendër të vëmendjes. E paraqet atë si burim të jetës. Edhe aktivitetet e sivjetshme janë të përqendruara kryesisht në krijimtarinë e grave. E ato nuk janë aso që nuk kanë gojë. Pos që ngrenë zërin për shumë çështje, përdorin edhe gjuhë tjetër. Atë të artit, duke i bërë edhe më kuptimplota kauzat e kreativitetin e tyre.

“Gruaja dhe dielli” është tema e sivjetme e Festivalit që për tri ditë zë vend në fshatin Kukaj, 28 kilometra në lindje të Prishtinës. Ekspozitat janë kryefjala e këtij edicioni. Gratë janë emëruesi i përbashkët i tyre, qoftë si autore apo edhe si vepra, shkruan KOHA.