Kulturë

Filarmonia në 20-vjetor me histori suksesesh e pa kushte elementare

Filarmonia në 20-vjetor me histori suksesesh e pa kushte elementare
Foto: Driton Paçarada/ Ilustrim

Shumica prej 400 vetave që në majin e vitit të kaluar kanë ndjekur koncertin e Filarmonisë së Kosovës në Paris, pas ndjesisë që kishte krijuar interpretimi, mund të kenë menduar që bëhet fjalë për një institucion me traditë të paktën disadekadëshe. Pakkujt pas koncertit në katedralen “Saint-Louis-des-Invalides” mund t’i ketë shkuar mendja që institucioni ishte në fund të dekadës së dytë pas themelimit e që Kori bashkë me Orkestrën mbajnë prova në një sallë prej rreth 150 metrash katrorë.

Me veprën bashkëkohore të kompozitorit Karl Jenkins, “Njeriu me armë” me nëntitull “Meshë për paqe”, Kosova shpjegonte historinë e saj përmes artit dhe dërgonte mesazhe paqeje në Paris nëpërmjet Filarmonisë së Kosovës, 20 vjet pas luftës. Sivjet vetë Filarmonia shënon 20-vjetorin e themelimit. Institucioni në fund të dekadës së dytë, jo vetëm që mahnit me interpretime, por edhe përfaqëson vendin e jep mesazhe paqeje.