Kulturë

Nëntori paralajmërohet si afat i finalizimit të Projektligjit për trashëgimi kulturore

Nëntori paralajmërohet si afat i finalizimit të Projektligjit për trashëgimi kulturore

Nëntorin e ka paralajmëruar ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, si afat kur do të dorëzohet në Qeveri Projektligji për trashëgimi kulturore. Këtë e ka bërë të martën derisa u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve, anëtarë të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport. Dumoshi ka folur edhe për Xhaminë e Gurit, që tash gati një dekadë është peng i restaurimit. E sa i përket shndërrimit të ish-Burgut të Prishtinës në muze, ajo ka thënë se për këtë është formuar një grup punues.

“Ne jemi duke punuar dhe jemi në fazën përfundimtare. Deri në nëntor duhet të dorëzojmë gjashtë ligjet e parapara në programin e Ministrisë. Uroj që ju si deputetë t’i jepni rëndësinë dhe komentet e juaja për kalimin e Projektligjit të trashëgimisë”, ka thënë Dumoshi. Por atë projektligj nuk kanë mundur ta çojnë përpara disa qeveri, shkruan KOHA Ditore.