Kulturë

Fuqizohet mbrojtja e Qendrës Historike të Shkodrës

Fuqizohet mbrojtja e Qendrës Historike të Shkodrës
Pasuri kulturore, është statusi që i është dhënë prej të mërkurës Qendrës Historike të Shkodrës e që i garanton projekte gjithëpërfshirëse për ruajtjen e konservimin e monumenteve brenda kësaj zone

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë vendosi të mërkurën që Qendra Historike e qytetit të Shkodrës të jetë pasuri kulturore dhe përcaktoi zonën e mbrojtur, sipas koordinatave dhe hartës së zonifikimit. Këshilli i Ministrave po ashtu vendosi edhe miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave.

Në këtë rast, Ministria e Kulturës është ngarkuar me punë që përmes strukturave të specializuara të përcaktojë zonat mbrojtëse të monumenteve të kulturës, të ndodhura brenda pasurisë kulturore. Po ashtu, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor është ngarkuar që të publikojë hartën e Qendrës Historike të qytetit të Shkodrës dhe të zonës mbrojtëse të saj në Gjeoportalin Kombëtar.